Archive | janvier, 2012

Të shkurtërit janë të mëdhenj

A janë meshkujt e shkurtër në rrezik ?

Kjo pyetje më lindi teksa lexoja një studim të çuditëshëm të bërë nga « Instituti shtetërorë i satistikave dhe studimeve ekonomike » n » Francë. Një studim në pamje të parë mjaft serioz, ku sipas tij meshkujt të cilët nuk i kalojnë 1m70 kanë vështirësi jo vetëm për të gjetur një partënere, por njëkohësisht janë të penalizuar në karrierën e tyre profesionale. Më saktësisht në të thuhej: « Ashensori » i tyre social nuk ka ngritje të vazhdueshme, pagesa e tyre gjithashtu, ose më keq gjetja e një partënereje është po aq sa e e vonëshme dhe e rastësishme.

Çdo të thotë kjo për këta meshkuj ?

Mos ndoshta ështe detyra jonë si gjini femërore të tregojmë që një gjë e tillë s’është e  vërtetë? Sigurisht nuk do të fillojmë të këndojmë: « Dhe floriri i vogël është, por sa vlerë ka! », apo një shprehje që kam dëgjuar nga gjyshja ime « Të gjatët janë shërbyesit e të shkurtërve. », por ajo që dua t’ju kujtoj ështe që në këtë studim cinik e të thatë mungojnë disa emra të cilët s’janë të panjohur për ne dhe pse ata nuk i kalojnë 1m70:

Tom Cruis dhe Gael Garcia Bernal (1m68), Mel Gibson (1M69), Robert Redford (1m66), dhe nuk janë vetëm të bukur mini – burrat tanë, ata janë dhe të fortë si Silverster Stalone, Jean Claude Van Damme, Napoleon Bonaparte, janë dhe të talentuar si Prince (1m54) duke mos harruar dhe emra të njohur shqiptarë të cilët dhe pse nuk po i përmend janë mjaft të sukseshëm.

Ky studim na vesh ne gratë me petkun e « mendjelehtave » pasi duket sikur i zgjedhin meshkujt me një metër në dorë, duke harruar që nuk është e rëndësishme gjatësia, por çfarë bëjmë me ta.

Aq më tepër në të është harruar dhe fakti që këto vitet e fundit « mini » meshkujt janë shoqërues idealë, pasi ata janë në harmoni, me mini – çantat, me mini – makinat, me tavanet tona të ulta, me mini – celularet , me mini – aparatet fotografike apo mini – kompjuterat tona.

E pas kësaj si mund të mos themi që ne gratë me një « mini » – mashkull përveçse mund të jetojmë një dashuri të madhe, mund të themi që ai është dhe në modë.

Posted in EDITORIALS, SHQIP - ALBANIAN0 Comments

Chat-i me të panjohur, tradheti … virtuale apo thyerje e monotonise ?

Kujt nuk i ka qëlluar që në një moment të ketë ndjesinë sikur dikush tjetër i ka « parafabrikuar » jetën,dhe të jetë ndjerë se duhet vetëm ta jetojë atë pa ngritur zërin ndaj asaj monotonie që e ka mbështjellë?

Kujt nuk i ka qëlluar që në një moment të jetës së tij, të ketë ndjesinë sikur nuk është në vendin e duhur, në momentin e duhur, me personin e duhur?  Ndoshta askujt.

Mendoj, se në një moment të caktuar shumë prej nesh e kanë pasur këtë « fat ». Ashtu siç jam e bindur se kemi menduar që kjo është një padrejtesi, por dhe pse kështu, askush nga ne, nuk është munduar të « ndërrojë » gomën e shpuar të kësaj « makine » për ta « lëvizur » atë nga aty ku ka ngecur.

Sot, në shekullin e 21, ne pretendojme qe jemi më të lirshëm. Por nëse kjo është e vërtetë, atëhere¨ pse ne e kemi më të vështirë të shprehemi, duke parë njeri-tjetrin ne sy?

Në këto kushte « streha » e botës virtuale nuk ka si te mos jetë mikëpritëse. Pasi në këtë botë, nuk ka jetë të « parafabrikuar », aty imagjinata është mbretëreshë.  Në këtë botë, ne mund të jemi vetvetja dhe askush nuk do të mund të na gjykojë, aq me tepër në këtë botë ne mund dhe ta « kalojmë » vetveten, pasi aty, ekrani i kompjuteri, ështe më mbrojtës se jeleku kundra plumbave.

Aty mund të flasim me kë të duam, por dhe me ata që s’duam, me ata që pëlqejmë apo dhe me ata që urrejmë. Mund të komplimentojmë apo shajmë, mund të ndërrojme profesionin, emrin, moshën madje dhe seksin.  

Miliona njerëz chat-ojnë në internet nëpër zyra, bare apo shtëpi. Janë ata të moshave, të sekseve, kombësive të ndryshme, çift apo beqarë. Sa afër na sjell bota virtuale!

Me ç’duket komunikimi në internet të bën të kesh një jetë paralele të pasur. Beqarët flirtojnë, shijojnë, ëndërrojnë, si dhe pse jo shpresojnë të gjejnë shpirtin binjak.

Për mendimin tim nuk duhet pretenduar që aty do të gjesh princin e kaltër, por në fakt a ekziston ai vërtet, qoftë dhe në botën reale?

Ka nga ata që nuk takohen kurrë, por vetem chat-ojnë. Nga momenti që ata fillojnë të chat-ojnë me të panjohur ata fillojnë dhe kanë ndjesinë sikur po jetojnë një jetë të cilën ata mund ta ndërtojnë hap pas hapi. Atë jetë të cilën nuk kanë pasur mundësi ta jetojnë kurrë. Është kjo si një lloj, « rilindjeje », pasi ata zgjedhin prindërit që duan të kenë, nëse duan të jenë shtatanike apo jo, e presin vetë kordonin që i lidh me nënën, zgjedhin ngjyrën e syve, të flokëve, emrin e tyre, e deri vendin ku kanë lindur. E si të mos ta pëlqesh jetën virtuale në këto kushte?

Përsa i përket atyre që janë në çift, ata hapin derën e « kopshtit » të tyre sekret, duke luajtur, apo duke provuar emocione të reja. A janë këta njerëz ikanakë prej një marrëdhënie reale, por pakësa monotone?

Ndërsa të martuarit, duke bërë një « shëtitje » jashtëmartesore i largohen të përditshmes. Por a mbart kjo gjë ndonjë rrisk?

Çfarë ndiejnë këta burra apo gra teksa « pianotojnë » në tastierën e kompjuterit, ndërsa të dashurit e tyre janë në dhomën tjetër duke fjetur, duke parë televizor, apo qoftë dhe më larg, por duke menduar për ta? A mund të konsiderohet kjo një forme tradhëtie?

Dikush mund të thotë që kjo është një formë për t’u « çliruar » kur njeri nga partnerët ndodhet larg,
kur nuk ka dëshirë të bëjë dashuri, apo qoftë, kur nuk dëshiron të bëj diçka ndryshe nga e zakonshmja. Kështu që, ai ose ajo që është përballë ekranit të kompjuterit, nuk e ka ndjesinë se po tradhëton.

A është kjo është një formë tradhëtie ? A nis tradhëtia qe ne mendje?  

Një gjë është e sigurt, nuk është ai ose ajo që chat-on që e përcakton nëse kjo është tradheti apo jo. Këtë e përcakton ai ose ajo që nuk chat-on.

Teksa po shkruaja, i bëra pyetjen vetes: « A do të ndihesha  e tradhëtuar, e injoruar, e padëshëruar, nëse i dashuri im do të flirtonte në chat me një vajzë të cilën ndoshta nuk do ta takonte kurrë? »

Po ju si di të ndiheshit ?

Posted in EDITORIALS, SHQIP - ALBANIAN9 Comments


Contact me

Facebook twitter-button Youtube Rss Linkedin eMail

 

janvier 2012
L Ma Me J V S D
« jan   fév »
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031  

UserOnline