nga Hueyda El Saied
Ka nga ato ditët dimrit të cilat dhe pse bën ftohtë mund të quhen të mrekullueshme, e një e tillë bëri që së bashku me katër shoqe e mia u ulem në një bar përballë Tajvanit për shijuar çokollatën e tretë të atij mëngjesi.
Ndërsa rrezet e diellit shoqëronin bisedat tona, më lindi ideja e një loje; të zbulonim personalitetin e personave të cilët « sflilonin » (në trotuarin ku ndodhej dhe bari ynë) përmes veshjeve, mënyrës së tyre të të ecurit dhe shprhejes së fytyrës. Loja jonë ashtu siç filloi, mbaroi shumë shpejt. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë, dëshira jonë për t’u bërë psikologe për disa minuta u mund nga një fenomen, i cili tashmë mund të quhet dhe “Institucion”. Me pak fjalë, dhe pse u munduam, unë dhe shoqet e mia nuk arrinim të thoshim asnjë fjalë për nëntëdhjetë për qind të atyre që “sfiluan” para nesh, pasi sa niste njëra nga ne të futej nën lëkurën e psikologes dhe të bënte një koment, i hidhej tjetra dhe thoshte: “E njoh unë atë. Është filania. Merret me…, ka qenë e dashura e…, tani shoqërohet me…”.
Mendova se të paktën djemtë ose burrat do të na e jepnin kënaqësinë të luanim, por jo, as që bëhej fjalë, do të dilte ndonjëra nga ne që do ta njihte X-in. “Ky është i biri i…, burri i…, i cili ka atë …”. “Institucioni Thashetheme” fitoi, ndoshta nga që nuk jetojmë në NewYork apo Paris (por dhe këtu s’jam 100% e sigurt).
Aty e kuptuam që tashmë vendin e “xhiros së madhe” së kohës së monizmit e kanë zënë baret dhe restorantet luksoze apo underground, ku sigurisht është e vështirë të jesh i lirë, të mbetesh vetvetja. E them këtë, duke pasur parasysh se nga fundi i viteve ’80, kur unë fillova të njihja jetën, kuptova njëkohësisht se nëse doja të mësoja ndonjë thashethem do të më duhej të dilja në xhiron e madhe të bulevardit dhe vetëm 15 min do të mjaftonin të merrja një informacion mbi këdo.
Tani nuk ka më “xhiro të madhe”, as ne nuk kemi nevojë të lodhemi aq shumë për thashetheme, pasi janë ato që vijnë te ne teksa jemi me një gotë në dorë dhe dëgjojmë muzikë në ndonjë bar apo pub.
Sigurisht thashethemet ekzistojnë kudo, në çdo vend të botës, apo siç i quajnë anglosaksonët “Gossip” apo francezët « Les ragots », por ato janë për të ashtuquajturit VIP-a. Për një të huaj është e paimagjinueshme të ulet në një bar buzë rrugës dhe të mesojë nga shokët e tij emrat e 90 për qind të njerëzve që u bie rruga para tij.
Ndërsa në Shqipëri zhvillimi i pakët ekonomiko-social i saj e bën këtë vend fushë të begatë të thashethemit, aq sa pas kaq vitesh ai mbetet ende “fanar ndriçues buzë Adriatikut”.

Kur flas për thashethemet si institucion e lidh këtë me faktin se çdokush këtu e ka këtë talent, dhe nëse nuk e ke këtë “dhunti” je demode. Ka nga ata që e kanë bërë dhe mjet pune. Ky profesion i vjetër nuk bën dallime sociale, çdokush mund ta ushtrojë, duke filluar që nga ai me dy klasë shkolle e deri te ai me master apo doktoraturë. Aq më tepër tek ky institucion nuk ka kryetar, të gjithë janë të parë.
Ajo që është me interesante në këtë fenomen është se dhe vetë ata që krijojnë thashetheme janë dhe vetë viktima të tisit të thashethemnajës që ka rrethuar këtë vend, por pak midis tyre e kuptojnë këtë.
Në Shqipëri njerëzit gjejnë punë, licencohen, gjykohen, vlerësohen, divorcohen apo prishin jetët e tyre dhe të të tjerëve duke mos rezistuar dot para “Institucionit thashethem”. Ai kushton aq lirë, sa në Shqipëri shumë herë ngrihen sisteme vlerash dhe antivlerash mbi themele thashethemesh.
Askush nuk duket të jetë i gatshëm të jetojë pa thashetheme. Varfëria dhe koha e shumtë për t’u “vrare” bën që ato të kenë vend nderi në bisedat e përditshme, e nëse Migjeni do të shkruante sot, në vend të bukës së përditshme do të kërkonte me gojën e shqiptarëve :
Thashethemin e përditshëm falna Zot!…



