Categorized | EDITORIALS, SHQIP - ALBANIAN

Sa kushton e kaluara ?

Nga Hueyda El Saied

Tek pyeta mbesën time pesë vjeçare se çfarë dëshironte të bëhej kur të rritej dhe ajo u përgjigj “e pasur”, thashë me vete, “Ky është një “profesion” që do ta donin shumë njerëz t’a ushtronin.”

Por, kush është i pasur në të vërtetë sot? A mund të quhet në Shqipëri i pasur një njeri që ka shumë vlera?

Kudo në rrugët e kryeqytetit, shohim njerëz të veshur hijshëm dhe të shëndetshëm, instiktivisht të lind pyetja çfarë fshihet pas këtij prezantimi “dinjitoz”?

Një njeri i cili duke u veshur kështu, mundohet të harrojë të shkuarën e tij të errët? Një njeri i cili e konsideron të shkuarën e tij si një piedestal për të qënë këtu ku është sot? Apo një individ që mendon se me paratë që ka, mund të shtojë apo shuajë disa linja të të kaluarën së tij.

Them se duhet të jesh naiv të besosh që me para mund të blihet gjithçka, por fatkeqësisht në Shqipërinë tonë “të pasur”, kemi individë të tillë të cilët dhe pse deri dje, kanë lënduar, kanë sharë, kanë shpifur, kanë vjedhur e ndoshta dhe vrarë, sot luajnë rolet e shpëtimtarëve. Ashtu siç duhet të jesh shumë naiv të mendosh që mëkatet lahen duke shkuar në kishë apo xhami e duke falur një shumë lekësh.

Nuk dua t’a pranoj që në shekullin e njëzetë e një në Shqiperi vendin e vlerave të vërteta e kanë zënë ato të sipërfaqshme dhe pse mbesa ime pësevjeçare shton që ajo dëshiron të bëhet “e pasur” sepse dëshiron të ketë një shtëpi të madhe apo veshje të bukura.  Ajo që dua të ruaj nga bashkebisedimi ynë është përgjigjja e pyetjes sime “cilët janë të pasur për ty?” Ajo më m’u përgjigj “Mami, babi dhe nëna”, personat të cilët kujdesen dhe e duan shumë atë.

Pavarësisht rëndësisë që ka paraja dhe komforti që ajo jep në jetën tonë, vleresoj se duhet të jetojmë për të fituar, por jo vetëm para. Sepse nuk mund të jetë paraja busulla e orientimit tonë në jetë, apo me keq akoma të biem në kurthin e saj duke shkelur mbi moralin, vlerat tona.

Edhe mund të gabosh, por të jesh i përgjegjshëm në atë çfarë bën çdo ditë do të thotë përpos të tjerave, të mësosh dhe nga gabimet e tua. Pasi në fund të fundit ashtu siç kemi të drejtë të krijojmë gjëra të bukura kemi të drejtë dhe të gabojmë, por kjo nuk do të thotë se ne mund të fillojmë t’i bëjme lavde gabimeve tona, nuk mundet kurrë që gabimet të bëhen “varka” e cila mund të na çojë në “ishullin e vlerave”.

E bindur se askush nga ne nuk ka mundur të shmangë dëshirën për të pasur një gomë magjike me të cilën do të kishte mundësi të fshinte disa orë, ditë, muaj apo qoftë dhe vite nga jeta jonë, por a mund të ndodhë kjo?

Ndoshta këtë ka pasur parasysh edhe Oscar Wilde kur thoshte se “Askush nuk është aq i pasur sa te blejë të kaluarën e tij.”

Leave a Reply

Contact me

Facebook twitter-button Youtube Rss Linkedin eMail

 

juin 2012
L Ma Me J V S D
« mai   oct »
 123
45678910
11121314151617
18192021222324
252627282930  

UserOnline