Nga Hueyda El Saied
Nuk kam arritur ende të arrij të bëj paqe me idenë që njerëzit që dua dhe vlerësoj një ditë të bukur mund “të largohen” për të mos u kthyer më kurrë. Aq sa bëhem dhe pak egoiste kur mendoj se do të ishte më e lehtë ta merrja unë e para atë biletë pakthim, pasi pa ta do të ndihesha si jetime si dhe nuk do të doja të mos kisha më mundësi të ndaja përsëri me ta momente të rëndëndësishme, t’i pyesja “Ju kujtohet kur …? » ose të bënim së bashku plane për të nesërmen.
Por fatkeqësisht këto ngjarje të hidhura ndodhin dhe më e keqja është se për këto gjëra nuk ka një rradhë të caktuar. Për shembull kur themi ajo ështe një « grua e ve » imagjinojmë një gjyshe apo një grua në moshë, është e vështirë të pranohet që ajo mund të jetë dhe një tridhjetë apo dyzet vjeçare e cila është aktive, por që një ditë të bukur një lajm i hidhur ka trokitur në derën e fatit të saj.
Në mënyrë indirekte e paksa të largët kam përjetuar një histori të ngjashme. Për 16 vjet rresht, jam rritur si një fëmijë gjysmë jetim, ndonëse im atë ishte gjallë. Në këtë shkrim nuk dua të flas për veten, por për nënën time e cila ishte vetëm 24 vjeç kur tim atë e përzunë nga Shqipëria dhe ajo u gjend pak a shumë në të njëjtën situatë si dhe ato gra të reja të cilat përballen me këtë “largim” të papritur, me humbjen e bashkëshortit.
Mendoj se çdo grua e jeton këtë dramë në funksion të personalitetit të saj dhe të marrëdhënies që ka pasur me “të larguarin”. Si një qilim i thurur nga fillimi në fund me katër duar, historia e secilës prej tyre i ngjan një filmi i cili fatkeqësisht ka një fund të dhimbshëm. Momentet e veçanta, e përditshmja, intimiteti i tyre, tashmë i përkasin vetëm kohës së shkruar. Me largimin e tij, ky duet jo vetëm që nuk ekziston më, por “i larguari” merr me vete një copë të jetës së saj, buzëqeshjen e saj, identitetin e saj.
Cili e dinte më mirë se ai, se çfarë femre, bashkëshorte, e dashure apo nëne ishte ajo?
Ndërkohë përballë kësaj dhimbjeje për të cilën askush nuk është përgatitur, dëgjojmë dhe komplimentet që i bëhen këtyre grave të cilat me të drejtë më shumë i nevrikosin sesa i ngushëllojnë ato.
« Bravo për kurajon që ke! » , « Çfarë force karakteri ke! »
Po a ka rrugëzgjidhje tjetër kjo grua? Ajo ka vetëm dy alternativa ose të filloi të pranojë këtë fatkeqësi e t’i thotë vetes « Jeta vazhdon. » , ose të zhytet në hidhërimin e saj e të shndërrohet në një “e larguar” e gjallë.
Unë mendoj se këto gra s’janë as kurajoze e aq më pak të veçanta. Ato bëjnë thjeshtë atë që munden, mes lotëve, trishtimit, mungesës e humbjes së njeriut i cili i njihte më mirë.
E si të mos ndihesh keq, kur ke qenë shumë e dashuruar e dalëngadalë e kupton efektin e humbjes së shikimit dashuror që të jepte tjetri?
E si të mos ndihesh keq kur papritmas je « e braktisur » nga njeriu të cilin nuk ke rreshtur kurrë së dashuruari, ai që ishte ekuilibri i vendimeve, i arsyes, i jetës tënde?
Nuk ka si të mos ndihesh keq, kur nuk di ku ta investosh atë stok të madh dashurie, të cilën pak kohë më parë dije kujt t’ja dhuroje.
Ndërkohë të mbetesh një grua e ve rigjeneron marrëdhënie të reja me të tjerët. Vihen re emra që shuhen e të tjerë që shkruhen në bllokun e adresave. Ka njerëz të cilët mendojnë se këto gra të reja mbyllen në trishtimin dhe errësirën e fatkeqësisë që i ka ndodhur, ka nga ata që janë dhe superticioz e mendojnë që një grua tashmë pa bashkëshort sjell ters, apo të tjerë që frikësohen nga disponibiliteti i një gruaje të ve.
Ajo që më trishton është fakti se në shoqërinë shqiptare vejushat e reja përveçse përballen me paragjykime të ndryshme, duhet ta jetojnë këtë humbje gjatë për të mos thënë gjatë gjithë jetës së tyre, ndërkohë që një burri të ve të afërmit e tij mundohen t’i gjejnë zëvendësuesen e « të larguarës » sa më shpejt që të jetë e mundur. Për mua ky është një dënim i pajustifikuar dhe larg çdo formë morali, e drejta e të jetuarit të lirë ështe një e drejtë universale. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për martesën, por dhe për pasojat që kanë këto norma jo të shkruara si për gruan e ve dhe për fëmijët e saj.
Nuk dua të bëj thjeshtë teori, por bazohem nga eksperienca ime personale. Dikur kam qënë një fëmijë i cili u rrit pa baba dhe një nga ëndrrat e mia të parealizuara, ishte të dilja në xhiron e bulevardit të madh të Tiranës me prindërit e mi. Gjatë gjithë fëmijërisë sime në heshtje shpresoja që meqënëse tim atë nuk e linin të rikthehej në Shqipëri e mamin e mua nuk na linin të iknim tek ai, ndofta dikush tjetër do ta zinte vendin e tim eti që dhe unë të dilja në xhiron e të shtunës si mikeshat e mia me prindërit e tyre, … por kjo nuk ndodhi kurrë.
Kur u bëra adoleshente dhe dola për herë të parë jashtë shtetit, një nga dhuratat e para që bleva, ishte një kostum për gjyshin tim, pasi isha e vendosur të realizoja ëndrrën time. E gëzuar që më në fund po ja arrija qëllimit, rruga nga Porti i Durrësit deri në shtëpinë e gjyshërve m’u duk shumë e gjatë, por kur mbërrita aty u përballa me “largimin” e tij pa kthim.
Pas 16 vjetësh “zia” e nënës sime mbaroi, ishte kjo një nga ato mrekullitë e pakta që ndodhin në jetë, babain tim më në fund e lejuan të hynte në Shqipëri, … por unë tashmë dilja në xhiro në bulevard me miqtë e mi.
Ndërkohë ime më kishte mbijetuar si shumë vejusha të reja, por në fund të shpirtit të tyre ato e dinë shumë mirë që ajo plagë mund të hapet në çdo moment sepse për të tilla plagë nuk ka ilaç.
Ndërsa unë nga kjo eksperiencë mësova të jem e lidhur me gjithçka dhe asgjë njëkohësisht, të kem frikë të dashurohem me diçka apo dikë që mund ta humb një ditë, por megjithatë nuk ndalova kurrë së dashuruari jetën dhe imagjinatën e saj të shfrenuar. Ime më dhe unë jo vetëm u rritëm së bashku, por dhe mësuam që drita e tunelit dhe pse mund të fshihet ajo ekziston dhe herët apo vonë do ta shohësh e do të kuptosh se jeta ia vlen të jetohet me gjithë brishtësinë e saj. Në fund të fundit ato norma dhe rregulla që vetëm paragjykojnë janë një dëshmi e egoizmit shoqëror, ndaj le t’i qëndrojmë sa më larg për të qënë sa më shpesh të lumtur.

